ZGJIMI NGA ANKTHI I SË KALUARES ME LOTËT E SREBRENICËS



Këtë letër e kam shkruar një ditë pasi jam kthyer në shtëpi nga Srebrenica, në fatkeqësinë e njerëzimit, vetëm në një prej vendeve të shumta në globin tokësor në të cilin lufta i ka ngulur dhëmbët helmues dhe ka lënë njollë e cila asnjëherë më nuk do të shërohet. Gjithashtu ky është një prej vendeve në të cilin mundeni, më shumë se zakonisht, të ndjeni se sa janë të rëndësishme lëvizjet paqesore dhe se si është e domosdoshme në secilin vend dhe në secilin moment të tregoni se si prodhohet lufta. Srebrenica është një klasë mësimi e tmerrshme në të cilën mund të mësohet se si mitet e lashta, kinse idealet e larta të luftës heroike për kombin, fenë e të ngjashme, shndërrohen në gjakderdhje dhe gjenocid. Serbët duhet të hyjnë në këtë klasë, të shikojnë të vërteten në sy dhe ata me duar të përgjakura, të cilët, fatkeqësisht ende janë duke shëtitur në mesin tonë, qartë t’i quajnë vrasës. Nuk është lehtë, por është e domosdoshme të ballafaqohemi me atë që ka ndodhur, të zgjohemi, për të mos u bërë përgjithmonë të zënë robër në ëndrrën e së kaluares dhe të humbim të drejtën për ardhmëri.

Edhe këtë do të ndaj me ju. Pas Srebrenice jam edhe më e bindur se më duhen që të gjitha forcat e mia, tërë energjinë time femërore, zemërimin, dashurinë, çmendurinë dhe mençurinë të përdor që grave dhe të rinjëve në Serbinë time jugore, të vogël, të frikësuar, të varfër dhe të prapambetur të shpjegoj nevojën, domosdoshmërinë e ballafaqimit me të kaluaren jo të largët, me kohën në të cilën ekonomikisht janë shfrytëzuar, janë gënjyer, janë përdorur, janë keqpërdorur dhe janë flijuar për pushtetin dhe klikën e Milosheviqit.

E di se kjo rrugë nuk do të jetë e mbuluar me lule. Kanë mbetur ende mjaft ujqër të Milosheviqit në pushtet të cilët janë veshur në “lëkurë qengji” të demokratëve të jashtëm. Ende kanë pozita të mëdha dhe mbështetës të fortë në krye të partive. Njerëzit ende kanë frikë prej tyre. Prandaj pikërisht për këtë arsye nuk do të ndalem. Lotët e mi ndaj viktimave të Srebrenicës pa këtë përpjekje do të ishin hipokrizi lakuriqe.

Nuk e kam ndryshuar asnjë fjalë në letrën time që e kam shkruar. Unë besoj në përshtypjet e para. Ato janë më të fortat dhe më të sinqertat.

Ja këtë letër:

Këtë vit kam qenë për herë të parë në Srebrenicë

Kam shkuar (vitin e kaluar nuk kam pasur mundësi, kurse gjatë këtij viti nuk kam dashur të ndalem, edhe pse e kam lënë bashkëshortin e sëmurë) sepse e kam konsideruar obligim timin të bëj së paku diçka, me çka do të dëshmoja se në Serbi nuk mendojnë të githë se vrasësit janë heronj, kurse vrasja e ndonjë djali të paarmatosur është akt atdhedashës. Do të shkoja edhe të mos i takoja Grupit të Grave në të Zeza sepse e kam ditur se është krejtësisht e sigurt. Në fakt, shumë më lehtë do ta kisha sikur të më kishin pështyrë dhe shikuar me sy shtrembër. Atëherë do ta kisha ndjerë se së paku për një pjesë të së keqes e „kam larë mëkatin“ në një farë mënyre.

As shikim qortues, e lëre më fjalë... Në vend të kësaj më kanë thënë: “Faleminderit!” Dhe më kanë ngushëlluar!. Nënat e Srebrenicës - mua!!!

Përshtypja më e madhe pikërisht ka qenë kjo „Faleminderit që keni ardhur“, që i kanë shqiptuar gratë e Srebrenicës! Po ç’është ajo gjë e madhe që e kemi bërë? Vetëm e kemi pranuar se na vjen keq për shkak të krimit i cili është bërë në emrin tonë. Se nuk duam t’i mbyllim sytë para kësaj, as t’i pranojmë gënjeshtat të cilat e zbusin të vërteten sepse kështu „e kemi më lehtë“ dhe kështu jemi „patriote më të mëdha“ sipas kritereve të RTS, Kuririt, nacionalistëve nga qeveria jonë... Kam filluar të qaj sapo që e kam dëgjuar fjalën e parë „faleminderit“ dhe nuk kam mundur më të pushojë. Vazhdimisht para syve më janë paraqitur imazhet nga ai filmi për Srebrenicën, dhe kudo i kam parë ata njerëzit të mjerë dhe të frikësuar, demtë dhe pleqtë, të cilët ata jonjerëz me pushkë po i ftojnë të dalin nga dushkaja. Më është dukur se po i shoh.

A ka nxehur dielli kaq fort si sot? Dhe a është rritur bari, a e kanë përhapur drunjtë flladin, a kanë kënduar zogjtë, toka a ka pasur erë si sot? Kam menduar në nënat, gratë dhe motrat të cilat në atë moment i kanë lidhur kryq duart para vetes, janë frikësuar dhe kanë shpresuar se vdekja do t’u shmanget të afërmve të tyre. (Të gjitha ne e dimë se si është kur dikush brengoset për ndonjë të afërm ose të vet, kur e di se është në rrezik, e nuk ke mundësi t’i ndihmosh. ) Një parandjnejë e zezë u është rritur në gjoks... E kanë ndjerë ato, se gratë këtë e ndjejnë, por shpresa u ka mbetur dhe ka zgjatur, ndoshta me ditë, muaj, gjithnjë derisa nuk e kanë gjetur midis eshtrave ndonjë gjurmë, shenjë, pullë, unazë, gjurmë që ka folur se shpresa është gënjeshtra më e madhe dhe më e mirë.

Por pas vargjeve “Ku jeni” kam menduar se sa i tmerrshëm është zgjimi pas ëndrrës në të cilën përsëriten imazhet e së kaluares e cila është shlyrë përgjithmonë, kur e kupton se – i biri, e ëma, i ati, vëllezërit dhe motrat këta janë vetëm disa në mesin e një morie emrash në gurin e Potoçares.

Atëherë Tamara Kaliterna, duke e ditur se jam për herë të parë në Potoçare, më ka marrë me vete në terracë, dmth., nga pika nga e cila shihet masa poshtë, sepse prej atyhit shihen më mirë përmasat e veprave të këqia përbindëshe. „Varrezat janë zgjeruar shumë“ ka thënë ajo. E kam parë se si njerëzit po ecin nga gropat e varrezave, me pëlhurat e gjelbërta mbi krahë nën të cilat janë eshtrat e atyre të cilët sipas të gjitha ligjeve, edhe të natyrës edhe të njeriut, do të duhej të ishin gjallë. Ka pasur edhe të atillë të cilët nuk ka pasur kush t’i bartë deri te varri dhe t’i varrosë, sepse më nuk kanë pasur anëtarë të familjes së vet të gjallë... „Për herë të parë gjatë këtij viti“, më ka thënë Tamara. Kjo ka qenë mjaft hidhëruese.

Kam shkuar me Tamarën deri te ata eshtra të cilët e kanë radhën që të barten, që së paku në një ta vërë dorën e së paku të them: Më fal... Mos mua, nuk e meritoj, mirëpo - falua nipërve dhe stënipërve të mi...

Tamara ka shkuar deri te varri. Unë nuk kam mundur. Kam menduar se kjo do të ishte mungesë respekti nga ana ime. Derisa nuk bëj diçka më shumë dhe diçka më të rëndësishme që e vërteta për Srebrenicën të pranohet në rrethn tim, nuk kam të drejtë që të afrohem aty.

Ajo që është bërë në Potoçare është e tmerrshme. Gjeneratat e pasardhësve tanë do të jetojnë me këtë njollë të turpit. Mundemi ta heqim vetëm nëse në tekstet mësimore të historisë qartë e shkruajmë se çka ka ndodhur këtu. Dhe me forcë u themi atyre të cilët i kanë mbyllë sytë dhe veshët nga frika që të mos e shohin shëmbëlltyrën tonë të keqe në pasqyren e së ardhmes dhe të mos e dëgjojnë të vërteten e madhe për veten në vend të vërtetës së llustruar „politikisht të pranueshme“. Pa zbukurim. Pa mjegullim me fjalë të ëmbla.

Pa u përpjekur që të justifikohemi me “edhe ata na e kanë bërë neve “. Po, edhe në Gjermani shumë civilë e kanë humbur jetën në fund të Luftës së Dytë Botërore, bombardimet e të ngjashme... Në mesin e tyre ka pasur mjaft të pafajshëm. Mirëpo mua nuk më kujtohet se ata në librat e mia të historisë janë përmendur si viktima. Me sa më kujtohet gjermanët aty janë përmendur vetëm si fashistë. Derisa nuk i kanë qëruar hesapet vetë me të kaluaren fashiste, askush në botë nuk i ka përmendur edhe viktimat dhe vuajtjet e tyre.

Kurrfarë dëmshmërblimi nuk do të mundet të lajë për një kohë gjatë, këtë njollë të errët nga emrat tanë. Ne na e kanë falur nënat e Srebrenicës. Edhe nga ata nën tokë ndoshta na e kanë falur. Mirëpo, nuk do të na e falin ata të cilët kurrë nuk do të lindin, ata të cilët kanë mundur të lindin, sepse vrasësit ua kanë marrë të drejtën të ekzistojnë të jetojnë. Si të marrë falje prej dikujt që ka mundur vetëm të jetë njeri, por nuk e ka pasur shansin, sepse ia kanë vrarë atë, i cili ndoshta, do të ishte i ati i tij?

Priredila Svetlana Pesic-aktivistkinja Zena u crnom


Print   Email