Always disobedient, and still in the streets...

Women in black - 30 years of resistance

9th october 1991 we took to the streets of Belgrade for the first time - that is when we began non- violent resistance to the war and the policies of the Serbian regime. So far, we have organized about 2,500 street actions. We are still in the streets ...
Women in Black / WiB is an activist group and network of feminist-anti-militarist orientation, consisting of women, but also men of different generational and ethnic backgrounds, educational levels, social status, lifestyles and sexual choices.

Read more...

JO NË EMRIN TONË!

ETIKA FEMINISTE DHE BALLAFAQIMI ME TË KALUAREN


Së shpejti do të mbushen pesëmbëdhjetë vite qëkur kemi dalë në rrugë. Edhe më tutje jemi në rrugë. Edhe më tutje të udhëhequra me imperativin moral: Jo në emrin tonë! Përherë na është dashur të jemi kundër: dhjetë vitet e para kundër vrasjeve, përndjekjeve, shkatërrimeve.

Dhjetë vitet e para kemi jetuar në shtetin e krimeve të organizuara nga shteti; në shtetin i cili e ka mohuar realitetin kriminel të „Serbisë e cila nuk është në luftë“. Pas rënies së regjimit diktator, në tetor të vitit 2000 kemi kaluar përmes periudhës së shpresës dhe mosplotësimit të të priturave. Kurse nga fundi i vitit 2003 me ardhjen e pushtetit të tanishëm jemi duke jetuar në kohën e mohimit të organizuar institucional të së kaluares kriminale.

Këto fakte kanë ndikuar dhe po ndikojnë në ndjenja, në parimet etike dhe në qëndrimet politike të Grave në të zeza:

  • Gjithnjë kemi qenë të padëgjueshme: deri në vitin 1991 ndaj regjimit kriminal kurse pas vitit 2000 pushtetit i cili nuk e ka bërë shkëputjen rrënjësore nga politika e luftës dhe e krimeve të luftës.
  • Gjithnjë kemi qenë pakicë e madhe në Serbi: të lëna anash, të njollosura, të etiketuara, të kriminalizuara, gjithnjë kemi qenë 'turp për Serbinë dhe popullin serb' dhe këtë vetëm për shkak të kërkesave të vazhdueshme për përgjegjësinë për luftën dhe krimet e bëra në emrin tonë

Në rezistencën e politikës agresore të regjimit serb, në rezistencën e mohimit të së kaluares kriminale jemi përpjekur për ndërtimin e patriarkatit si sistem i epërsisë së tërësishme dhe i dominimit Në politikën tonë paqësore kemi vendosur të bëhemi:

Gjithnjë të padëgjueshme ndaj patriarkatit: luftës, nacionalizmit, militarizmit...
Patriarkati e ka ideuar luftën, shërbehet me luftën për të ruajtur rendin të cilin e ka krijuar. Patriarkati nuk është pasojë e luftës, ai është shkaktar i luftës (Beti Riardon/Bety Riardon). E dimë se patriarkati e mban pushtetin e vet përmes mekanizmave të kontrollit patriarkal, para se gjithashë seksizmit, nacionalizmit, militarizmit. E dimë se feminizmi është rezistencë e të gjitha autoriteteve patriarkale, si në fushën private ashtu edhe publike. Si feministe e kemi për obligim që të ngrisim zërin ndaj të gjitha formave të autoritetit patriarkal. Me praktikë dhe me teori, me fjalë dhe mendime ta shpërbëjmë triadën patriarkale: seksizmin, nacionalizmin, militarizmin. Dhe të gjitha sistemet tjera të dominimit. Pa analizë dhe praktikë feministe është e pamundur të shpërbëhet triada patriarkale. Prandaj feminizmi edhe si mendim edhe si praktikë domosdoshmërisht është antipatriarkal, kundërnacional dhe antimilitarist.

Gjithnjë solidare me gratë jashtë të gjithë kufijve dhe ndarjeve...
Seksizmi si sistem i bindjes për epërsinë e një gjinie ndaj tjetrës u imponohet grave, veçanërisht në kohërat e luftës dhe krizës, obligimin që të jenë lojale ndaj meshkujve të kombësisë së vet, të klasifikohen vetëm sipas përkatësisë së 'tokës së djegur'. Si zëvendësim për këtë lloj të lojalitetit, vëllazëria patriarkale e meshkujve kinse e ofron mbrojtjen për gratë dhe për fëmijët. Si zëvendësim për 'mbrojtje' vëllazëria patriarkale kërkon heshtje, leje dhe bashkëpjesëmarrje në dhunë, në krime në emër të 'mbrojtjes së kombit dhe atdheut'. Si feministe, po e ndërtojmë solidaritetin midis grave, jashtë vëllazërive patriarkale, kombeve dhe shteteve; si feministe e përkrahim njëra tjetrën në rezistencën ndaj vëllazërive patriarkale; si feministe po e ndërtojmë një botë tjetër përmes motërzimeve për paqe dhe mosdhunë; lojale njëra ndaj tjetërs në ëndërrat për autonominë dhe lirinë e femrave.

Gjithnjë jolojale ndaj kombit, etërve të kombit...
Nacionalizmi si sistem i bindjes se një kombi është më superior nga të tjerat i prodhon etërit e kombeve të cilët kërkojnë nga shtetasit dhe shtetaset e veta që t'i përkrahin në forma të ndryshme të konsensusit kombëtar. Për shembull, mundet të bëhet fjalë 'për rrezikimin e kombit serb' ose për 'komplotin kundër popullit serb'. Elita intelektuale dhe kulturore i krijon, përmes makinerisë së vet propagandiste të të ashtuquajturat interesat kombëtare, sistemet e vlerësimit, gjykimet morale të cilat e arsyetojnë nënçmimin e të tjerëve dhe të të ndryshmëve, përjashtimin e tyre gjithnjë deri në asgjësimin e tyre.

Prandaj, si feministe, e kemi për obligim të jemi shkelëse të konsensuseve të imponuara kombëtare sepse vetëm kështu veprojmë në favor të paqes.

Si feministe, e kemi për obligim të jemi tradhtare të të ashtuquajturave interesave kombëtare, sepse feminizmi është jo vetëm respektim i të tjerëve dhe të ndryshmëve, por edhe e drejtë që vetë t'i përkufizojmë nevojat dhe interesat tona.

Ideologjia dhe praktika ideologjike, e shndërrojnë identitetin e grave në rolin e bashkëshorteve dhe nënave, duke iu imponuar grave obligimin të lindin për nevojat e kombit dhe të atdheut. Feminizmi si luftë e grave për autonomi, si e drejtë e grave në zgjedhje, e nënkupton jolojalitetin edhe të kombit edhe etërve të kombit dhe të interesave kombëtare. Dhe këtë jo vetëm në shtet i cili i zhvillon luftërat.

Gjithnjë të padëgjueshme ndaj militaristëve, luftëtarëve, heronjëve dhe patriotëve...
Militarizmi si sistem i superioritetit ushtarakë, forcës dhe dhunës, kërkon nga shtetasit dhe shtetaset që të mbështesin 'luftën e arsyetuar mbrojtëse' sepse, kinse ata 'e kanë mbrojtur dhe vetëm e kanë mbrojtur nga armiqtë e shumtë të popullit serb'. Militaristët dhe patriotët kërkojnë nga gratë që të jenë pranë heronjëve dhe luftëtarëve.

Prandaj si feministe, e kemi për obligim që gjithnjë të refuzojmë luftën si mënyrë të zgjidhjes së problemeve, të përpiqemi për zgjidhjen e padhunshme të konfliktit.

Si feministe, e kemi për obligim të tregojmë padëgjueshmëri ndaj heronjëve dhe luftëtarëve të tyre, sepse ata janë për ne vrasës.

Si feministe, e kemi për obligim që në shtetin i cili e zhvillon luftën ose e ndërmerr dhunën, të jemi kundërpatriotike, ose që vetë të përkufizojmë se çfarë është patriotizmi i vërtetë, nëse ndonjërës prej nesh i ka mbetur deri te patriotizmi.

Si feministe, e kemi për obligim që të dezertojmë nga detyrat patriotike, të mbështesim meshkujtë të cilët i refuzojnë rolet e parashikuara – refuzojnë të shkojnë në luftë ose vendosin të dezertojnë në betejën e luftës.

Në shpërbërjen e përhershme të patriarkatit, rezistencën ndaj luftës dhe krimeve, në mohimin e së kaluares kriminale u jemi përmbajtur dhe po u përmbahemi edhe disa parimeve etnike:

  • Jo në emrin tonë: distancimi i përhershëm, publik, i qartë dhe me zë nga ata të cilët flasin në emrin tonë, zhvillojnë luftëra ose e zbatojnë dhunën; nëse këtë nuk e bëjmë, ata mund të mendojnë se e kanë pëlqimin tonë, pajtimin pra edhe bashkëpjesëmarrje në vepra të këqia.
  • Të mos lejojmë të na mashtrojnë, së pari tanët e pastaj as të tjerët: këto janë akte të mosdëgjueshmërisë ndaj militaristëve dhe nacionalistëve të shtetit në të cilin jetojmë e pastaj edhe të gjithë të tjerëve. Është e domosdoshme të heqim dorë së pari nga heronjtë tanë, duke mos harruar me këtë rast se në hapësirën e ish-Jugosllavisë (por edhe më gjerë) nuk jemi të gjithë në të njëjtën pozitë. Konkretisht, ne vijmë nga një shtet i cili ka zhvilluar luftëra, pra, përgjegjësia jonë është më e madhja, por kjo nuk e përjashton edhe përgjegjësinë e të tjerëve.
  • Së pari duhet pastruar oborrin tonë ose : së pari kërkoj përgjegjësi për krimet e bëra në emrin tim: ky është parim i autonomisë morale, integritetit moral dhe dinjitetit, dhe vetëm kur t'i pastrojmë oborret tona, kemi të drejtë të kërkojmë nga të tjerët që të bëjnë njësoj këtë.
  • Mbaj përgjegjësi jo vetëm për atë që e bëj vetë por edhe për atë që e bëjnë në emrin tim: rastësisht jam pjesëtare e një kombi, kurse ata me qëllim, me plan, në mënyrë të ideuar, të organizuar dhe vazhdimisht kanë bërë krime në emrin tonë. Pa e marrë parasysh a deklarohem në bazë të përkatësisë etnike ose këtë e refuzoj, 'rastësia e ekzistencës sime kombëtare vazhdon në këtë pikë, sepse krimi është bërë në ermin tim fakti përfundimtar: themelimi ideologjik, karakteri dhe përmasat e krimit janë të tilla saqë ai depërton në identitetin tim individual' (Nenad Dimitrijeviq).
  • Në vend të dëshpërimit, kryengritja krijuese: ndjenjat e zemërimit dhe pezmatimit kundër regjimit i cili i zhvillon luftërat ose e mohon përgjegjësinë për to e shndërrojmë në aksionet e mosdëgjueshmërisë qytetare; ndjenjës së turpit, fajit për shkak të rënieve viktimë, vuajtjeve, dhembjen e cila u është shkaktuar viktimave të krimeve të bëra në emrin tonë e shndërrojmë në akte të solidaritetit dhe të dhembshmërisë.
  • Duke ndërtuar politikën e paqes në parimet e etikës feministe dhe të përgjegjësisë feministe, i kemi organizuar aksionet kundër regjimit kriminal, kurse tani po i organizojmë aksionet kundër mohimit të së kaluares kriminale. Ja disa prej tyre:

    • Aksionet në rrugë: protestat, performansat, fillimi i fushatave me grumbullimin e nënshkrimeve për nismat kundër luftës, mobilizimit me dhunë, kundër ndihmës të të akuzuarëve të luftës dhe familjeve të tyre, etj. Gratë në të Zeza deri më tani i kanë organizuar më shumë se një mijë aksione në rrugë nga të cilat pjesa me e madhe ka qenë kundër luftës përkatësisht kërkesave për përgjegjësinë për luftë.
    • Kërkesat e vazhdueshme për të vërtetën për krimet dhe për dënimin e kriminelëve: kërkesat për fillimin e të gjitha formave të përgjegjësisë: përgjegjësisë individuale, penale, dhe politike, përgjegjësisë kolektive, morale në formë të nismave të numërta të legjislacionit, kumtesave, apeleve.
    • Duke i vizituar vendet e krizës ose 'të vështirësuara, të shteteve të cilat regjimi i ka shpallur armiqësore: e kemi vizituar Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, duke e shkelur konsensusin kombëtar, duke i kundërshtuar të gjitha format e homogjenizimit, duke e krijuar solidaritetin dhe besimin me gratë, viktimat e krimit të bërë në emrin tonë.
    • Duke i vizituar vendet e krimeve të bëra në emrin tonë: këtë e kemi bërë përherë, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj. Krimet e panumërta të bëra në emrin tonë, nuk i kemi vizituar të gjitha vendet, por gjithnjë së pari u drejtohemi viktimave, me respektimin e dinjitetit të viktimave, dhe pranimin e krimeve të bëra në emrin tonë, me kërkimin e ndjesës për vuajtjet dhe dhembjen; 'ky nuk është akt simbolik i njëhershëm, ky është proces i drejtimit viktimës; ky proces duhet të zgjasë gjithnjë derisa te viktimat ekziston frika e logjikshme' (Linda Radzik). Kjo është frikë prej asaj se krimi mundet të përsëritet. Prandaj 'u dalim përpara' viktimave të krimeve të bëra në emrin tonë. Kjo është përgjegjësia jonë morale, kështu e ndërtojmë besimin me viktimat, gjë që është parakusht i paqes së drejtë dhe stabile.
    • Krijimi i formave të reja të drejtësisë tranzicionale: deri më tani modelet e njohura të drejtësisë tranzicionale nuk kanë dhënë përgjigje për çështjet e ndërlikuara të së kaluares as që janë të mjaftueshme për ndarjen nga e kaluara kriminale dhe prandaj trajtimi ynë feminist i drejtësisë së tranzicionit është sfidë e rëndësishme për teorinë dhe praktikën feministe. I përcjellim gjykimet për krimet e bëra në emrin tonë, ua ofrojmë përkrahjen familjeve të viktimave, organizojmë grupet e diskutimit, projeksionet e video filmave për krimet, bibliotekat e drejtësisë së tranzicionit...
    • Puna e përhershme edukative: me organizimin e seminareve, punishteve, konferencave, me organizimin e dëshmimit të viktimave të luftës, me shënimin e tyre në historinë alternative. Lufta është përgatitur gjatë, në krijimin e sistemit vlerësues dhe moral i cili e ka bërë të mundur luftën ka marrë pjesë shumica, kështu që për çmontimin e këtij sistemi, e kjo domethënë mënjanimin e shkakut të luftës nevojitet shumë kohë. Pa refleksione të përhershme morale në mesin e anëtarëve dhe anëtareve të grupeve në emër të të cilëve janë bërë krimet nuk ka ardhmëri më të ndryshme Prandaj një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve edukative të Grave në të Zeza i është kushtuar kësaj teme.
    • Duke i mbajtur mend dhe duke i shënuar aktet dhe datat e rëndësishme të rezistencës së padhunshme në Serbi – të luftës dhe të politikës kriminale: Është fakt se regjimi serb përherë ka prodhuar urrejtje, luftëra, dhunë, por gjithashtu është fakt edhe se gjatë tërë kësaj kohe në Serbi ka ekzistuar një rezistencë mjaft e madhe kundër luftës. Por edhe është fakt se sot në Serbi ekziston rezistenca e mohimit të së kaluares kriminale.

    Edhe përkundër kësaj, një numër i madh i feministeve në mesin tonë nuk është liruar nga ndjenja e fajit për shkak të të gjitha krimeve të cilat i ka bërë regjimi serb. Përgjegjësinë më të madhe në Serbi e ndjejnë pikërisht gratë të cilat të parat janë ngritur kundër luftës, i kanë filluar aksionet kundër luftës, antinacionaliste, antimilitariste, i kanë ndriçuar dhe po i ndriçojnë krimet, e kanë ndërtuar dhe po e ndërtojnë politikën e solidaritetit përtej të gjithë kufijve dhe ndarjeve, gra të cilat edhe sot janë më aktivet kundër mohimit të organizuar të së kaluares kriminale.

    Edhe këtu para jush, grave me emra shqiptarë, po e përsëris 'Na falni'! Për humbjet e pësuara të më të dashurve tuaj, nënçmimet tepër të mëdha, dhembjen e pashprehur, vuajtjet e pamatura të cilat ua ka shkaktuar regjimi i shtetit nga i cili vijmë. Dhe këtë po e bëj jo vetëm nga dhembja, solidariteti, nga respektimi i dinjitetit dhe integritetit të viktimave të familjave të tyre, por për shkak se konsderoj se kjo është përgjegjësia ime dhe e jona qytetare, ky është krijim i besimit midis nesh, kjo është rrugë për ndërtimin e përbashkët të paqes së drejtë. Edhe për etikën feministe të përgjegjësisë, për suprimimin e fajit patriarkal, për brengën e njërës ndaj tjetrës, për marrëdhëniet në të cilat e dëgjojmë njëra tjetrën, i respektojmë para se gjithash rrëfimet tona individuale e jo kolektive, për solidaritetin si mirëkuptim reciprok, për aksionet e përbashkëta kundër të gjitha formave të patriarkatit.

    (Ekspoze në konferencën Gratë, paqja, siguria, 1-3 shtator 2006; në Strugë, Maqedoni, në organizim të Koalicionit Paqësor të Grave (Rrjeti i grave të Kosovës) dhe Gratë në të Zeza, Serbi)

    Stasha Zajoviq