Kundër gjuhës së urrejtjes raciste të Vullinit

Me aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, Ministri aktual i Punëve të Brendshme Alleksandar Vullin është liruar nga aktakuza për diskriminim, fyerje dhe gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Një aktgjykim i tillë shkakton shqetësim serioz lidhur me aftësinë e drejtësisë në Serbi për ta zbatuar përgjegjësisht Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit Racor dhe Fetar i cili e dënon “provokimin ose nxitjen e pabarazisë, urrejtjes dhe jotolerancës së bazuar në përkatësi racore, kombëtare, fetare, seksuale ose ndonjë përkatësi tjetër”.

Duke e vlerësuar aktakuzën ndaj Vullinit si të pabazuar, gjykata i ka dhënë fuqi juridiko-institucionale gjuhës së urrejtjes, jotolerancës dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj atyre që jetojnë në Serbi. Me këtë legalizohet gjuha e urrejtjes shoviniste dhe raciste e cila del në pah duke përdorur shprehjen “Shiptar” për shqiptarët e Kosovës. Kjo shprehje në vete përmban urrejtje ndaj grave dhe burrave të popullit të “rendit të dytë”, ndaj njerëzve të konsideruar inferior të cilët duhej të ishin servil dhe të kënaqeshin me punët më të këqija fizike, siç ka qenë dikur gjendja kur shqiptarët e Kosovës që ndodheshin në Beograd dhe qytete të tjera nëpër Serbi po merrnin para duke punuar si druprerës dhe qymyrtarë.

Vullini i lartëpërmendur në komunikim zyrtar e ka përmendur këtë shprehje të paktën 6 herë vetëm në muajin shtator të vitit 2020. Ai e ka arsyetuar veten me faktin që vetë shqiptarët po përdorin një fjalë të ngjashme për popullin e vet. Mirëpo, që një kohë e gjatë është e qartë që përdorimi i kësaj fjale do të thotë përulje e shqiptarëve dhe që ata të cilëve u drejtohet me këtë fjalë e marrin pa përjashtim si fjalë fyese. Pafytyrësia e Vullinit e shprehur në përdorimin e tij këmbëngulës të fjalës së përmendur (gjë kjo që i nxit disa media të caktuara që ta përdorin poashtu) përcjellet me shpjegimin e tij demagog kur thotë që ata që duan ta ndalin atë në lirinë e tij të të shprehurit shovinist në fakt dëshirojnë ta ndalin që të shkojë në Jasenovc ose në territor të Kosovës dhe që këto janë përpjekje për t’i heshtur ata serbë që nuk duan të heshtin (?!).

Pas marrëzive të lartëcaktuara të Vullinit ne po pyetemi: Si ka mundësi që nënvlerësimi i kujtdo të jetë luftë për të vërtetën? Si një diskriminim verbal mund të sjellë mirëkuptim mes dy popujve? Vullini e ka thënë qartazi: ashtu që shqiptarët të pranojnë të jenë qytetarë të rendit të dytë.

Fjalori i tillë i Vullinit dhe i atyre që janë si ai thellësisht i nënçmon të gjithë qytetarët dhe qytetaret e Serbisë që nuk duan të pranojnë ndarjen e njerëzve në ata të rendit të parë dhe ata të rendit të dytë, dhe as ndarjen e popujve në ata me më shumë vlerë dhe ata me më pak vlerë. Derisa nuk e refuzojmë mundësinë për shovinistët të flasin në emrin tonë – nuk kemi një të ardhme!

Beograd, 9.2.2021.
Gratë në të Zeza - Beograd


Print   Email